
Kush është Erjon Galanxhi?
Fillova punë mbrëmbjeve në moshën 18-vjeçare, në riparimin e kompjuterave afër stadiumit Dinamo, në Tiranë. Ishte detyra ime të mblidhja pjesët skrap dhe komponentët kompjuterike si Kasë kompjuteri, Hard Disket, memorjet RAM, Monitorët, fishat e kabllot e duhura nga një grumbull i madh të pjesëve kompjuterike të importuara dhe të ndërtoja/montoja kompjutera për shitje. Kjo më shtyu kuriozitetin më shumë të studioja për inxhinieri. Përfundova studimet Master në fakultetin e Inxhinieri Elektrike në vitin 2006 dhe 4 vite studime për Fizikën e Përgjithshme, Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë. Tashmë , prej vitesh jetoj dhe punoj në qytetin e bukur të Vjenës së Austrisë, duke përfunduar projekte nga bota e web-it dhe vizatimeve teknike CAD.

Hapat e parë
Udhëtimi im filloi që në vitin 2006 duke instaluar sisteme mbikëqyrjeje CCTV, alarme, sisteme zbulimi dhe të mbrojtjes nga zjarri, mirëmbajtje të rrjeteve kompjuterike, dizajne me ndihmën e kompjuterit etj. Secili sistem duhej të punonte dhe mirëmbahej sa më mirë, në mënyrë që të arrinte pritshmëritë e klientit. Cilësia vizuale duhej të ishte sa më e qartë që të ishte e mundur në mënyrë që të identifikohej çdo formë trupore/objekti në kohë reale. Transmetimet vizuale të kamerave duheshin konfiguruar në rrjeta lokalë LAN dhe me VPN që të vëzhgoheshin në kohë reale nga grupet e sigurimit të objektit. Kam marrë pjesë në kolaudimin e sistemit të sigurimit në ministri, banka, fabrika, markete, pallate shumëkatëshe, qendra tregtare, etj. Kjo është baza e njohurive të cilën e ruaj deri më sot.

Projekte inxhinierike
Kam zhvilluar projekte të shumta inxhinierike të bëra përmes Autocad, 3D Max, Revit për t'i prezantuar klientëve objektet përfundimtare 2D dhe 3D si shkolla, kopshte, konvikte, ndërtesa rurale, ndërtime industriale, punime metalike mekanike, diagrame skematike elektrike, projekte komunale e shumë e shumë projekte të tjera. Ishte detyra ime të përfundoja projektet në kohë të shkurtër, me cilësi dhe me kontroll pas përfundimit. Çdo projekt e kam shoqëruar me relacionin përkatës, ku jepej përshkrimi i detajuar mbi projektin e dizenjuar. Po ashtu kam ndërtuar dhe përpiluar për çdo projekt listën e materialeve dhe kostove totale të projektit me programet si MS Excel, Open Office, LISP dhe programime me PHP. Projektet i kam përgatitur me shkallë dhe te formatuar sipas standarteve të kohës në fuqi në shtetin Shqiptar. Për të punuar sipas standarteve ishte e vështirë në Shqipëri gjatë atyre viteve, kështu porosita dhe studioja standartet e projektimit Italian, sipas librave në seri "LE GUIDE BLU".

Web Developing
Në vitin 2001 fillova si zhvillues web-i duke përfunduar disa kurse në HTML, CAD Design, Photoshop, MS Excel, PHP bazë, rrjete IT. Gjatë viteve 2002-2003 kam mbrojtur disa çertifikata XPERT(Windows, Internet, MS Office) nga inspektorë kryesisht Gjermanë. Kam punuar me dyqane online, të cilat ishin në fillimet e tyre dhe nuk kishte shumë platforma të gatshme për të zgjedhur, por të testuara për muaj të tërë nga Magento, OpenCart, CS-CART, etj. Ishte e vështirë të gjeje të gjitha funksionalitetet e nevojshme "të gjitha në një vend". Pra, duhej të zhvilloja funksionalete duke koduar kryesisht në PHP, MySQL dhe më vonë në Javascript.

Instruktor trajnimi CAD dhe Web
Nga viti 2007-2009 kam qënë trajnues part-time në qendrat e formimit profesional. Kryesorja ishin temat e AutoCAD për inxhinierë dhe arkitektë, si dhe Zhvillimi i Web-it për studentë të rinj të diplomuar nga informatika, shkenca kompjuterike apo individë deri në moshat e reja me aspirata për t'u bërë zhvillues në të ardhmen. Megjithëse isha në rolin e mësuesit, ishte një sfidë më vete të përballesha me pyetjet dhe të gjeja zgjidhje për shumë raste të ndryshme të sjella nga studentët. Kjo bëri që aftësitë e mia të përforcoheshin dhe shtoheshin, bashkë me të dhe përgjegjësitë.

Serverat Cloud
Pas zhvillimit të shumë aplikacioneve dhe dyqaneve online, përvoja ime ka pasur një kufi me serverët e përbashkët dhe serverët e dedikuar. Robotët kërkues të Google dhe Bing kishin kërkesa për shpejtësi më të lartë në ngarkimin e faqes, ngarkim të shpejtë të skedarëve CSS dhe Javascript, kështu që e vetmja mënyrë ishte të ndërrohej në serverë me përformancë më të lartë. Që nga viti 2015, fillova të zhvilloj aplikacione dhe faqe interneti duke rritur shpejtësinë me ndihmën e rrjeteve CDN, dhe serverëve në Amazon dhe Google Cloud. Kam përfituar njohuri të shumta në optimizimin e faqeve të internetit për motorrët e kërkimit dhe përfshirjen serverave me kapacitete të ndryshme që japin shtysë në indeksimin e faqeve në motorra kërkimi.

Turet virtuale dhe dyqanet eCommerce
Përvoja e gjatë me dyqanet online është e dobishme për të ndërtuar ture dhe dyqane të realitetit virtual. Ka nisur një trend i ri në treg që shumë përdorues do të kërkojnë gjithnjë e më shumë ture VR. Kam studiuar rastet më të mira për të optimizuar dhe dizenjuar aplikacione të realitetit virtual me standardet më të larta si 4k, 6k, 8k dhe deri në 16k. Mund të rekomandoj se cili është shërbimi i duhur për të pritur realitetin virtual. Prandaj nga gjithë përvoja që kam kaluar deri tani dhe liçensa që kam marrë mbi këtë fushë, kam sjellë faqen HTTP3.al që të vej në dispozicion shërbimet e mia, për të kontribuar në tregun Shqiptar dhe të huaj.